Gjermania planifikon të krijojë në vitin 2027 regjimentin e parë ushtarak të Bundeswehr-it të dedikuar posaçërisht për përdorimin e dronëve dhe sistemeve pa pilot.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka prezantuar projektin për ngritjen e njësisë së re, e cila synon të përqendrojë kapacitete të ndryshme të luftës me dronë dhe të luftës elektronike.
Rreth 600 ushtarakë
Sipas planit, regjimenti do të përbëhet nga rreth 600 ushtarakë dhe do të pajiset me një gamë të gjerë sistemesh ajrore pa pilot.
Sipas televizionit gjerman N-TV, njësia do të jetë në gjendje të përdorë edhe dronë me rreze veprimi deri në 500 kilometra.
Përveç sistemeve ajrore, struktura e re do të ketë edhe sisteme tokësore pa pilot dhe dronë sulmues njëpërdorimësh, të projektuar për të goditur objektiva.
Edhe kompani për luftën elektronike
Një pjesë tjetër e rëndësishme e regjimentit do të jetë një kompani e specializuar për luftën elektronike.
Kjo njësi do të ketë për detyrë të ofrojë kapacitete shtesë në operacionet elektronike, krahas përdorimit dhe kontrollit të sistemeve pa pilot.
Krijimi i regjimentit pasqyron rëndësinë në rritje që ushtritë evropiane po i kushtojnë dronëve, sistemeve autonome dhe luftës elektronike në fushën moderne të betejës.
Pjesë e Divizionit të 10-të të blinduar
Regjimenti i ri do të jetë pjesë e Divizionit të 10-të të blinduar të Bundeswehr-it.
Në këtë divizion bën pjesë edhe brigada gjermane e dislokuar në Lituani, e cila është pjesë e angazhimit të Gjermanisë në krahun lindor të NATO-s.
Njësia e re pritet të forcojë kapacitetet e Bundeswehr-it në përdorimin e dronëve për zbulim, operacione luftarake dhe mbështetje të forcave tokësore, duke e integruar këtë teknologji në mënyrë më të strukturuar në organizimin ushtarak gjerman.

