Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar kërkesë për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të hënën, më 5 tetor, në orën 09:00.
Kërkesa është dorëzuar nga Grupi Parlamentar i LVV-së, ndërsa në rendin e ditës pritet të jetë edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Komisioni mblidhet në 08:00
Para seancës plenare, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit pritet të mblidhet në orën 08:00.
Në rend dite është shqyrtimi i projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Mbledhja është paraparë të mbahet në sallën N-10 të Kuvendit.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, ka konfirmuar se projektligji do të shqyrtohet në mbledhjen e së hënës.
Pas shqyrtimit në Komision, projektligji pritet të procedohet për shqyrtim në seancën plenare, nëse plotësohen kushtet procedurale.
Kjo çështje është bërë pjesë e zhvillimeve politike në Kuvend lidhur me ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

