Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka njoftuar se Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë një pako projektligjesh që lidhen me reformën në sistemin e drejtësisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Gërvalla ka renditur pesë projektligjet e miratuara:
- Projektligjin për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve;
- Projektligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve;
- Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës;
- Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës;
- Projektligjin për Akademinë e Drejtësisë.
Këto projektligje janë pjesë e pakos së reformës në drejtësi të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë. Ministria kishte bërë të ditur më herët se qëllimi i tyre është forcimi i integritetit, llogaridhënies dhe profesionalizmit në sistemin e drejtësisë.
Gërvalla ka deklaruar se me miratimin e kësaj pakoje është vendosur, sipas saj, “themeli” i reformës së thellë në sistemin e drejtësisë.
Ajo e ka cilësuar pakon si “investim strategjik” në të ardhmen e drejtësisë në Kosovë dhe ka thënë se miratimi i saj përbën një hap drejt konsolidimit të sundimit të ligjit dhe një sistemi gjyqësor e prokurorial të pavarur.
Ministrja kishte njoftuar në mars se gjashtë projektligje të lidhura me reformën në drejtësi do të procedoheshin në Qeveri dhe më pas në Kuvend.
Ndërkohë, sot Kuvendi ka shqyrtuar dhe miratuar në parim edhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, me 91 vota për.

