Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka kërkuar që procedura për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të përfundojë sot.
Tahiri ka propozuar një afat të përshpejtuar për shqyrtimin e amendamenteve dhe projektligjit në komisionet parlamentare, në mënyrë që më pas të votohet edhe në lexim të dytë në seancën plenare.
Sipas propozimit të tij, amendamentet mund t’i adresohen Komisionit Funksional për Legjislacion deri në orën 14:30.
Më pas, Komisioni Funksional do ta shqyrtonte projektligjin deri në orën 15:30, ndërsa deri në orën 17:00 do t’ia paraqiste Kuvendit raportin me rekomandimet për shqyrtimin e dytë.
Tahiri ka propozuar që shqyrtimi i dytë dhe votimi i projektligjit në seancë plenare të zhvillohet sot, më 5 tetor 2026, në orën 17:30.
“Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar do të bëhet në seancën plenare sot, më 5 tetor 2026, në orën 17:30”, ka deklaruar Tahiri.

