Sot është dita e fundit e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Nëse procedura nuk përfundon deri në fund të ditës, vendi hyn në një tjetër proces zgjedhor.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026. Në rast se presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.
Dita e sotme vjen pas një seance të tensionuar të Kuvendit të hënën, ku deputetët miratuan në lexim të parë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, por nuk arritën të përfundojnë procedurën për miratimin e tyre në lexim të dytë.
Surroi: Deputetët kanë mundësi të arrijnë marrëveshje
Publicisti Veton Surroi ka thënë se deputetët kanë mundësinë që sot të arrijnë një marrëveshje për disa çështje të rëndësishme institucionale.
Surroi ka propozuar si pjesë të një pakete të përbashkët zgjedhjen e presidentit, ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, përshpejtimin e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe qasjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Sipas tij, deputetët kanë dy mundësi: të arrijnë marrëveshje gjatë ditës ose, nëse presidenti nuk zgjidhet, vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
Përplasjet në protestën e së hënës
Ndërkohë, zhvillimet politike janë shoqëruar me protesta jashtë Kuvendit, ku demonstruesit kërkojnë miratimin përfundimtar të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Të hënën në mbrëmje protesta u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës. Policia përdori gaz lotsjellës dhe topin me ujë, ndërsa nga ana e protestuesve u hodhën mjete piroteknike dhe u dogjën kontejnerë.
Sipas raportimeve të fundit, dhjetëra persona u lënduan gjatë përleshjeve, ndërsa Policia e Kosovës ka njoftuar për ndërhyrje për ruajtjen e rendit dhe sigurisë rreth ndërtesës së Kuvendit.
Specialja dhe presidenti, dy çështjet që mbeten pezull
PDK-ja ka kërkuar që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të miratohen përfundimisht para zgjedhjes së presidentit, ndërsa LVV-ja ka kërkuar që fillimisht të arrihet marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.
Të hënën, projektligji mori 91 vota për në lexim të parë, por procedura nuk u përmbyll në lexim të dytë.
Sot mbetet të shihet nëse partitë parlamentare do të arrijnë një marrëveshje për të dyja çështjet apo nëse skadimi i afatit kushtetues do ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Në rast të shpërndarjes së Kuvendit më 6 tetor, zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

