Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur konferencë për media, ku ka kërkuar miratimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka bërë thirrje që deputetët e Kuvendit të mblidhen sa më shpejt dhe ta votojnë ligjin, duke theksuar se deri në mesnatë kanë mbetur edhe 11 orë.
“Veç edhe 11 orë kanë mbetur deri në mesnatë. Ky popull është ai që edhe në ditët më të vështira u bë bashkë me UÇK-në dhe sot jemi të bashkuar. Populli që në këto ditë u bë një me UÇK-në dhe zemra ime rrah me ju, dhe ne jemi me ju”, tha Berisha.
Ai u bëri thirrje deputetëve që të paraqiten menjëherë në Kuvend dhe ta votojnë ligjin.
“Deputetët duhet të vijnë menjëherë, të gjithë ta votojnë ligjin. Është detyrë që na ka caktuar populli, është detyra dhe përgjegjësia jonë”, u shpreh ai.
Berisha e përmbylli deklaratën me thirrjen: “Rroftë Kosova, rroftë UÇK-ja!”
Haradinaj: Ende nuk kemi marrë ftesë për seancë
Në konferencë ka folur edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili është pyetur nëse partia kishte marrë ftesë për ndonjë seancë të Kuvendit gjatë ditës së sotme.
Haradinaj tha se deri në atë moment nuk kishin marrë ndonjë ftesë.
“Ende jo. Kemi me shku me i fol protestuesit bashkë. Është një përkrahje, një ndihmesë, një ndjenjë e mirë me pa këtë vetëdije kombëtare që e kemi parë në vazhdimësi”, deklaroi Haradinaj.
AAK ka përsëritur kështu kërkesën që Kuvendi të mblidhet dhe të procedojë me votimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.

