Kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga PDK-ja që të zotohen publikisht se do t’i sigurojnë të paktën gjysmën e votave të grupit parlamentar për Bekim Sejdiun si president, duke thënë se në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje dhe deputetët e komuniteteve do të japin 62 vota. Në këmbim, Kurti është zotuar se Projektligji për Dhomat e Specializuara do të kalojë në lexim të dytë të enjten.
Kurti tha se zgjidhja e çështjes së presidentit është emergjente, pasi dështimi për ta zgjedhur kreun e shtetit brenda afatit kushtetues e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja. Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor.
Kurti: PDK-ja të japë gjysmën e votave për Sejdiun
Në një konferencë për media, Kurti tha se VV-ja, së bashku me deputetët e komuniteteve, mund të sigurojë 62 vota për Bekim Sejdiun, nëse PDK-ja garanton të paktën gjysmën e votave të grupit të saj parlamentar.
“Nëse PDK-ja zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër e kemi bashkë me LDK-në, atëherë po procedojmë me votimin në leximin e dytë. Kërkojmë që të zotohen para jush”, tha Kurti.
PDK-ja ka 22 deputetë, ndërsa në Kuvend VV-ja bashkë me deputetët e komuniteteve ka 62 deputetë.
Kurti tha se deputetët e PDK-së mund të votojnë edhe kundër, por kërkoi që të marrin pjesë në proces.
“Ata mund të votojnë edhe kundër. Sa herë kanë kërkuar prej nesh, ne kemi qenë të gatshëm për votën për, e ne po e kërkojmë gjysmën e tyre kundër”, u shpreh ai.
Kurti: Ta zgjedhim presidentin sonte, të enjten kalon Ligji për Specialen
Kurti ka përsëritur zotimin se nëse presidenti zgjidhet gjatë së martës, Projektligji për Dhomat e Specializuara do të kalojë në lexim të dytë gjatë paradites së së enjtes.
“Ta zgjedhim presidentin sonte dhe publikisht zotohem se në paraditen e së enjtes kalon leximi i dytë i Projektligjit për Dhomat e Specializuara”, deklaroi Kurti.
Kjo çështje është bërë pjesë e drejtpërdrejtë e negociatave politike për zgjedhjen e presidentit. PDK-ja ka kërkuar që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të miratohen në të dy leximet para se të votohet presidenti.
Ndryshimet në këtë ligj u miratuan në lexim të parë më 5 tetor me 91 vota, ndërsa votimi në lexim të dytë nuk u zhvillua.
Kurti: Moszgjedhja e presidentit na largon nga çështja e Hagës
Kurti ka thënë se moszgjedhja e presidentit do t’ua pamundësonte institucioneve të Kosovës që të fokusohen në një strategji shtetërore dhe kombëtare lidhur me çështjen e Gjykatës Speciale.
“Për katër të dënuarit në shkallë të parë, ne besojmë për korrigjim në Apel në njërën anë dhe në anën tjetër, një strategji shtetërore e kombëtare për ta fituar këtë betejë. Por ne nuk mund t’i mohojmë pengesat e menjëhershme që i kemi përpara nesh drejt atij synimi”, tha Kurti.
Ai përmendi Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke thënë se çështja e tyre kërkon kohë dhe angazhim.
“Emergjente është çështja e presidentit, që ta heqim këtë presion mbi shtetin dhe të kemi të gjithë energjinë, vëmendjen dhe mendjen tek mbrojtja e luftës së popullit tonë për liri dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare në Hagë”, deklaroi ai.
Kurti tha se nuk mund të pritet një zgjidhje e menjëhershme për proceset në Hagë.
“Çështja atje do të marrë kohë, angazhim dhe, që ta themi, do edhe shumë nerva. Nuk do të bëjmë kurrfarë mrekullie brenda natës”, u shpreh kryeministri.
Përplasja politike: PDK kërkon ligjin, VV kërkon presidentin
PDK-ja ka insistuar që fillimisht të përfundojë procedura për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe më pas të procedohet zgjedhja e presidentit. Sipas PDK-së, 22 votat e saj janë të lidhura me miratimin e ligjit.
Nga ana tjetër, Kurti po kërkon që fillimisht të arrihet marrëveshje për zgjedhjen e presidentit dhe më pas të procedohet me leximin e dytë të ligjit.
Ai ka akuzuar PDK-në dhe kryetarin e saj, Bedri Hamza, se kanë vendosur kushte dhe nuk kanë dhënë garanci për mbështetjen e kandidatit për president.
“Unë po kërkoj prej PDK-së, kolegut tim, Bedri Hamzës, që publikisht të zotohet që së paku gjysma e grupit parlamentar të PDK-së vijnë dhe e ka të përmbyllur menjëherë nga ana jonë leximin e dytë”, tha Kurti.
Bekim Sejdiu u tërhoq pasi mbështetja ra në 74 vota
Kurti foli edhe për tërheqjen e kandidaturës së Bekim Sejdiut, i cili ishte propozuar si emër i përbashkët në marrëveshjen mes VV-së dhe LDK-së.
Sipas Kurtit, Sejdiu ishte i gatshëm të hynte në garë kur pretendohej se mund të siguroheshin 80 vota, por u tërhoq pasi mbështetja ra në 74.
“Mirëpo, ai është tërhequr kur prej 80 ra në 74. Bekim Sejdiu, i cili ka qenë i gatshëm, të cilin e falënderoj shumë, t’i hyjë kësaj ndërmarrje me vetëm 80 vota ku nëse mungon një bie i gjithë projekti”, tha Kurti.
Ai shtoi se nëse do të siguroheshin më shumë se 80 vota, nuk beson se Sejdiu do ta refuzonte kandidaturën.
Në dy rundet e para të votimit për president nevojiten 80 vota, ndërsa Kushtetuta parashikon një procedurë tjetër në rundin e tretë, ku kandidati mund të zgjidhet me shumicën e deputetëve të pranishëm, me kusht që në sallë të jenë të paktën 80 deputetë.
Kurti për LDK-në: Do të komunikojmë sërish
Kurti ka thënë se marrëveshja e mëparshme me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ishte bërë në emër të të gjithë grupit parlamentar të LDK-së, i cili ka 18 deputetë.
Ai tha se gjashtë deputetë të LDK-së nuk e kanë mbështetur marrëveshjen për Sejdiun.
“Nuk kemi komunikuar me kryetarin e LDK-së. Është e vërtetë që ai e ka kryer punën, por kur ai ka negociuar me mua e ka bërë në emër të 18 deputetëve. Ai ka ardhë me folë në emër të 18-ve dhe 6 po mungojnë. Unë do të komunikoj prapë me të”, tha Kurti.
Kurti për protestën dhe Policinë
Kryeministri është pyetur edhe për ndërhyrjen e Policisë së Kosovës gjatë protestës së mbrëmshme në Prishtinë.
Kurti tha se nuk i di të gjitha hollësitë e ndërhyrjes, por deklaroi se, bazuar në atë që kishte parë, sjellja e Policisë ishte korrekte.
“Mbrëmë kam qenë këtu, gjithmonë kam qenë këtu dhe nuk i di hollësitë e protestave. Nuk e di se cili është momenti kur policia ndërhyri apo jo, por e di se tash janë dërguar disa raste në IPK për të parë nëse ka pasur ndonjë sjellje të tepruar”, tha ai.
Protesta e 5 tetorit u shoqërua me përleshje mes protestuesve dhe Policisë, ndërsa pati përdorim të gazit lotsjellës dhe mjeteve piroteknike. Sipas raportimeve ndërkombëtare, disa persona u lënduan dhe pati edhe arrestime.
Afati për presidentin skadon sot
Kushtetuta përcakton se presidenti duhet të zgjidhet brenda afatit të përcaktuar pas konstituimit të Kuvendit. Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati aktual për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor 2026. Nëse presidenti nuk zgjidhet, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë.
Kështu, në orët e fundit të afatit, marrëveshja politike mbetet e lidhur me dy çështje kryesore: zgjedhjen e presidentit dhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. VV kërkon që presidenti të zgjidhet fillimisht, ndërsa PDK kërkon që ligji të përfundojë para votimit për presidentin.

