Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka reaguar pas deklarimit të kryeministrit Albin Kurti për propozimet e tij lidhur me kandidatët për president, duke përmendur Feride Rushitin dhe Glauk Konjufcën.
Hamza i ka cilësuar si jo serioze zhvillimet rreth kësaj çështjeje dhe mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet tema e presidentit dhe e Dhomave të Specializuara.
“Kjo temë po tentohet të shndërrohet në pazare të minutave të fundit. Ju kam thënë dhe po e përsëris. Çështja e ligjit për Dhomat e Specializuara nuk është temë që i takon vetëm PDK-së. Po flasim për historinë, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka thënë se pjesëtarë të UÇK-së janë të përfaqësuar në të gjitha partitë politike dhe ka akuzuar se tema po përdoret për qëllime politike.
“UÇK-ja ka pjesëtarë në të gjitha partitë politike dhe qëllimi i kësaj teme është si ta përdorim ligjin për shantazh dhe për të mbërritur qëllimin politik. Qëllimi politik është që të kemi një president politik dhe ta përmbyllim njëqind për qind kapjen e institucioneve”, ka thënë ai.
Hamza ka theksuar se ka marrë pjesë në takimet e zhvilluara për këtë çështje dhe ka kritikuar ndryshimet e shpeshta të qëndrimeve politike.
“Unë kam qenë në takim, po e shihni se sa shpesh ka ndryshime të qëndrimeve politike”, është shprehur Hamza.
Kreu i PDK-së ka shtuar se qëndrimi i tij ka qenë që fillimisht të miratohet ligji për Dhomat e Specializuara në lexim të dytë dhe vetëm më pas të zhvillohen diskutimet për zgjedhjen e presidentit.

