Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, ka deklaruar se zgjidhja e krizës institucionale i krijon Kosovës mundësinë që të rifillojë me energji të re ndjekjen e agjendës së saj evropiane.
Ai i bëri këto komente në pritjen e organizuar me rastin e Ditës së Bashkimit Gjerman, ku theksoi se krijimi i institucioneve stabile krijon kushte më të mira për bashkëpunimin dypalësh dhe avancimin e Kosovës drejt integrimit evropian.
“Pas zgjidhjes së krizës institucionale, pres me padurim të punoj me energji të re, si në bashkëpunimin tonë dypalësh, ashtu edhe në agjendën evropiane të Kosovës. Duke krijuar institucione stabile, vendi tashmë e ka vendosur veten në pozitë që ta ndjekë sërish në mënyrë aktive këtë agjendë”, deklaroi Rudolph, raporton KosovaPress.
Megjithatë, ambasadori gjerman paralajmëroi se rruga drejt integrimit evropian nuk do të jetë gjithmonë e lehtë dhe se procesi do të kërkojë debate e vendime të vështira, si brenda Kosovës, ashtu edhe në raport me partnerët e saj.
Ai theksoi se integrimi i Kosovës në strukturat evropiane është bërë edhe më i rëndësishëm në kushtet e ndryshimeve të mëdha politike dhe të sigurisë në kontinent.
“E di se në Kosovë ka padurim për një proces që tashmë duket se po zgjat shumë dhe, më besoni, edhe unë e ndaj këtë padurim. Por, në njëfarë kuptimi, qëllimi i integrimit të plotë të Kosovës në strukturat evropiane mund të jetë sot edhe më i rëndësishëm sesa ishte kur ju nisët këtë rrugë”, tha ai.
Rudolph përmendi luftën e Rusisë kundër Ukrainës, e cila, sipas tij, ka hyrë në vitin e pestë, si dhe sulmet hibride ndaj Gjermanisë dhe vendeve të tjera, duke theksuar se Kosova duhet ta shohë integrimin evropian jo vetëm si objektiv të brendshëm, por edhe si kontribut për paqen dhe sigurinë në Evropë.
Në të njëjtën pritje, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cilësoi zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente të vendit si lajm të mirë, që pritet të kontribuojë në stabilitetin institucional.
Haxhiu tha se Kosova tashmë ka presidente të re dhe theksoi përfaqësimin e grave në institucionet e vendit. Ajo përmendi se Shiroka-Pula është gruaja e tretë që zgjidhet presidente e Kosovës, ndërsa vlerësoi edhe përbërjen e Kryesisë së Kuvendit, ku, sipas saj, katër nga gjashtë anëtarët janë gra.
Kryetarja e Kuvendit e vuri gjithashtu në pah rëndësinë historike të bashkimit të Gjermanisë, më 3 tetor 1990, dhe e përmendi Gjermaninë si shembull të rolit të grave në udhëheqjen e vendit.

