Një aksident trafiku mes katër veturave ka ndodhur të premten rreth orës 18:00, në rrugën Gjilan–Prishtinë, në fshatin Parallovë. Si pasojë, 11 persona kanë pësuar lëndime trupore.
Lajmin e ka konfirmuar Valon Osmani, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit.
Të gjithë personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan.
Përveç lëndimeve, nga aksidenti janë shkaktuar edhe dëme materiale.
Ndërkohë, hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Gjilan janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për të hetuar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

