Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, me të cilin ka diskutuar për integrimin evropian të Kosovës, bashkëpunimin dypalësh dhe zhvillimet e fundit politike.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se në takim ka pranuar urimet e ambasadorit italian për zgjedhjen e presidentes së Kosovës, duke theksuar se përfundimi i procesit të formimit dhe funksionalizimit të institucioneve mundëson përqendrimin te programi qeverisës dhe planet zhvillimore.
Një ndër temat kryesore të diskutimit ishte procesi i integrimit evropian dhe roli që Italia mund të luajë në avancimin e Kosovës drejt statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë, duke vlerësuar kontributin e saj në zhvillimin e Kosovës, si dhe në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në vend dhe rajon.
Në takim është diskutuar edhe për zhvillimet aktuale, përfshirë aktgjykimin e 16 shtatorit në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kurti ka theksuar gjithashtu synimin për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Italisë në sektorë me interes të përbashkët, përfshirë edhe sportin.
