Bashkimi Evropian e ka mirëpritur miratimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, duke e cilësuar si një hap përpara në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Sipas BE-së, ky vendim kontribuon edhe në integrimin gradual të Kosovës në Tregun e Përbashkët Evropian.
Ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, tha se anëtarësimi në SEPA do t’i lehtësonte pagesat dhe transfertat e parave mes Kosovës dhe vendeve pjesëmarrëse në këtë zonë.
“Pasi Kosova të anëtarësohet në SEPA, pagesat dhe transfertat e parave drejt dhe nga vendet e zonës SEPA do të bëhen më të lehta, më të shpejta dhe më të lira, duke u kursyer bizneseve dhe qytetarëve kohë dhe para”, deklaroi Schuebel.
Çfarë do të thotë SEPA për qytetarët dhe bizneset?
Anëtarësimi në SEPA synon të lehtësojë pagesat në euro ndërmjet vendeve pjesëmarrëse, duke përfshirë transfertat bankare ndërkufitare.
Për qytetarët e Kosovës, kjo mund të sjellë përfitime në dërgimin dhe pranimin e parave nga familjarët që jetojnë në diasporë, veçanërisht në vendet evropiane që janë pjesë e SEPA-s.
Edhe bizneset mund të përfitojnë nga transferta më të thjeshta dhe më pak të kushtueshme, duke lehtësuar pagesat ndaj partnerëve dhe klientëve jashtë vendit.
Megjithatë, ulja konkrete e tarifave do të varet nga zbatimi i rregullave të SEPA-s dhe kushtet e shërbimeve që ofrojnë bankat.
Kuvendi e miratoi ligjin në shqyrtim të dytë
Të enjten, deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në shqyrtim të dytë Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Miratimi i tij është pjesë e hapave që Kosova duhet të ndërmarrë në procesin drejt anëtarësimit në SEPA.
Megjithatë, miratimi i ligjit nuk nënkupton anëtarësim të menjëhershëm. Kosova duhet të përmbushë edhe kërkesat e tjera të procesit përpara se pagesat të mund të kryhen sipas rregullave të SEPA-s.

