Protestat kundër rritjes së inflacionit në Francë janë shoqëruar me përleshje të dhunshme mes policisë dhe demonstruesve, zjarre dhe plaçkitje në disa qytete të vendit. Sipas autoriteteve franceze, rreth 550 mijë persona morën pjesë në demonstrata, ndërsa afro 400 persona u arrestuan.
Presidenti Emmanuel Macron dënoi aktet e dhunës dhe u zotua se personat përgjegjës për sulmet dhe shkatërrimet do të ndiqen penalisht. Ndërkohë, një protestues në qytetin Saint-Étienne humbi dorën pas shpërthimit të një granate policore të përdorur për kontrollin e turmave.
Trazirat vijnë pas disa javësh protestash studentore dhe në një periudhë të tensionuar politike, rreth gjashtë muaj para zgjedhjeve presidenciale në Francë.
Macron: Nuk ka vend për dhunë në Republikën tonë
Presidenti francez reagoi përmes një postimi në platformën X, duke theksuar se protestat paqësore janë të ligjshme, por dhuna dhe shkatërrimi i pronës nuk mund të tolerohen.
“Në Republikën tonë nuk ka vend për dhunë”, shkroi Macron, duke paralajmëruar se personat që kanë sulmuar institucionet dhe bizneset, si dhe ata që kanë kryer plaçkitje, do të përballen me drejtësinë.
Ai shprehu gjithashtu mbështetjen për forcat e rendit, të cilat, sipas tij, garantojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar.
Lecornu dënon dhunën dhe plaçkitjet
Kryeministri francez, Sébastien Lecornu, i cilësoi ngjarjet si akte dhune me intensitet të jashtëzakonshëm.
Ai deklaroi se demonstratat paqësore kanë vendin e tyre në një republikë demokratike, por zjarrvëniet, plaçkitjet dhe sulmet ndaj institucioneve nuk mund të justifikohen.
Lecornu akuzoi grupe të ekstremit të majtë për organizimin e akteve të dhunës në disa qytete, ndërsa theksoi se fondet publike nuk mund të përdoren pa kufi për të mbuluar dëmet e shkaktuara nga vandalizmi.
Rreth 550 mijë pjesëmarrës, sindikatat flasin për 800 mijë
Sipas Ministrisë së Brendshme të Francës, në demonstrata morën pjesë rreth 550 mijë persona. Sindikata CGT, ndërkaq, pretendoi se numri i pjesëmarrësve arriti në 800 mijë.
Në Paris dhe qytete të tjera, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji ndaj protestuesve të maskuar, disa prej të cilëve hodhën sende të forta dhe fishekzjarrë.
Në kryeqytet u dogjën disa automjete të parkuara, ndërsa dhjetëra dyqane u plaçkitën në Paris, Marseille, Nice, Bordeaux dhe Lille. Në Lille u grabit edhe një dyqan i kompanisë Apple.
Zjarre dhe sulme ndaj institucioneve në disa qytete
Në Lyon, protestuesit i vunë zjarrin një zyre turistike në qendër të qytetit. Në Marseille dhe Lille, grupe demonstruesish hynë me forcë në ndërtesat e bashkive, ndërsa në Bordeaux u sulmua një kompleks policor.
Në Limoges, flakët përfshinë pjesë të ndërtesës së bashkisë dhe arritën deri në çati pas sulmit të një grupi protestuesish.
Në Paris, një turmë prej më shumë se 300 personash u përpoq të marshonte përgjatë bulevardit Champs-Élysées, ku ndodhen dyqane të markave luksoze. Policia përdori gaz lotsjellës për t’ua bllokuar rrugën, ndërsa protestuesit brohoritën sloganin “ACAB”, të përdorur nga grupe kundërshtuese ndaj policisë.
Një tjetër rast i rëndë me granata policore
Në qytetin jugor Saint-Étienne, një protestues humbi dorën pas shpërthimit të një granate policore të përdorur për kontrollin e turmave.
Ngjarja vjen pas një incidenti të ngjashëm më 5 tetor në qytetin Lens, ku një 15-vjeçari humbi dorën pas shpërthimit të një granate trullosëse të policisë gjatë një proteste tjetër.
Përshkallëzimi i dhunës ka shtuar shqetësimet për sigurinë publike dhe dëmet materiale, ndërsa autoritetet franceze kanë paralajmëruar ndjekje penale ndaj personave të përfshirë në sulme dhe plaçkitje.

