Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka kritikuar gjendjen në sektorin energjetik, duke thënë se Kosova po përballet me importe të mëdha të energjisë elektrike dhe me çmime të larta. Ai ka paralajmëruar se AAK-ja do të thërrasë interpelancë për këtë çështje.
Në një konferencë për media nga selia qendrore e AAK-së, Gjini deklaroi se situata energjetike në vend është shqetësuese dhe se kostot e importit, sipas tij, po rëndojnë mbi qytetarët.
“ Kosova është në kolaps. Edhe një herë, pas shumë viteve, me një import brutal të energjisë elektrike, me çmime brutale, çmime të cilat në fund të fundit të gjitha paguhen prej xhepave të qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Gjini.
Ai ka kritikuar edhe udhëheqjen e sektorit energjetik, duke e akuzuar për përgjegjësi në gjendjen aktuale.
“Udhëheqja e mafisë energjetike, e cila e ka shkatërruar sistemin energjetik të Kosovës, është nyje e lidhur. Nuk ka dalje prej këtu”, ka thënë ai.
Në fund, Gjini bëri të ditur se AAK-ja do të kërkojë interpelancë për gjendjen e energjisë në Kosovë, me qëllim që kjo çështje të diskutohet në Kuvend.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur furnizimi me energji elektrike dhe kostoja e importeve mbeten çështje me rëndësi për ekonominë dhe konsumatorët në Kosovë.

