Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka miratuar suspendimin e Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurores Arlinda Nallbani-Gacaferri, lidhur me rastin e vrasjes së A. Z.
Vendimi u mor të enjten, më 29 tetor 2026, në një takim të jashtëzakonshëm të KPK-së, pas shqyrtimit të kërkesës së Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnulla Gashi, për fillimin e procedurës disiplinore ndaj dy prokuroreve.
Formohet paneli hetimor
Sipas njoftimit të Këshillit Prokurorial, KPK-ja vendosi të themelojë një panel hetimor për trajtimin e rastit dhe miratoi propozimin për suspendimin e të dy prokuroreve, ndaj të cilave kërkohet zhvillimi i procedurës disiplinore.
Vendimet janë marrë në bazë të të gjeturave të përfshira në raportin me numër reference A.Nr. 379/2026, të paraqitur nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit. Raporti lidhet me rastin e vrasjes së A. Z.
Valbona Disha-Haxhosaj caktohet ushtruese e detyrës
Në të njëjtin takim, Këshilli Prokurorial vendosi që Valbona Disha-Haxhosaj të caktohet ushtruese e detyrës së Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Pejë.
KPK-ja ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në garantimin e llogaridhënies dhe forcimin e integritetit të sistemit prokurorial, duke theksuar se procedurat duhet të zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Burimi: Këshilli Prokurorial i Kosovës (prokuroria-rks.org)

