Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e 500 raketave të avancuara të mbrojtjes ajrore “Patriot PAC-3 Missile Segment Enhancement” për Ukrainën. Vlera e kësaj pakete arrin në rreth 2.1 miliardë dollarë.
Sipas njoftimit të DASH-it, kostoja e blerjes nuk do të mbulohet nga fondet amerikane, por nga partnerët dhe aleatët ndërkombëtarë të Ukrainës.
Financimi do të sigurohet përmes kontributeve të Kanadasë, Gjermanisë dhe Norvegjisë, në kuadër të programit JUMPSTART, si dhe nga fondet kombëtare të Ukrainës, të mbështetura nga kredia e Bashkimit Evropian për mbështetjen e vendit.
“Ukraina do të paguajë për këtë blerje me donacione nga Kanadaja, Gjermania dhe Norvegjia nëpërmjet programit JUMPSTART dhe fondeve kombëtare, të financuara nga Kredia Mbështetëse e Ukrainës e Bashkimit Evropian”, thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Në njoftim theksohet se në këtë shitje nuk përfshihen fonde amerikane.
Raketat PAC-3 MSE janë pjesë e sistemit të mbrojtjes ajrore “Patriot” dhe përdoren për interceptimin e raketave balistike taktike dhe kërcënimeve të tjera ajrore. Furnizimi me këto raketa synon të forcojë kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës përballë sulmeve ajrore.
