Montreali kryeson listën e qyteteve më të sigurta në botë për udhëtarët në vitin 2027, ndërsa qytetet europiane zënë një pjesë të konsiderueshme të renditjes. Zyrihu, Amsterdami, Rejkjaviku dhe Oslo janë ndër destinacionet që vlerësohen për nivelin e sigurisë, sipas një studimi të publikuar më 28 tetor 2026.
Kryeqyteti norvegjez, Oslo, ka shënuar një nga ngjitjet më të mëdha në klasifikim, duke kaluar nga vendi i 17-të në vitin 2026 në vendin e gjashtë për vitin 2027.
Zyrihu renditet i dyti, duke fituar një pozicion krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa Amsterdami është ngjitur nga vendi i katërt në të tretin. Rejkjaviku i Islandës, që kryesonte renditjen në vitin 2026, ka zbritur në vendin e pestë.
Ndërkohë, Kopenhaga ka regjistruar një rënie të ndjeshme, duke kaluar nga vendi i dytë në të 12-in. Kryeqyteti danez kishte mbajtur këtë pozicion për dy vite radhazi, në vitet 2025 dhe 2026.
Europa me disa qytete në mesin e 15 më të sigurtave
Në listën e 15 qyteteve më të sigurta përfshihen edhe Venecia në vendin e tetë, Dublini në vendin e 11-të, Barcelona në vendin e 13-të dhe Parisi në vendin e 15-të.
Berlini ka vijuar rënien në klasifikim, duke zbritur në vendin e 26-të për vitin 2027, nga vendi i nëntë që mbante në vitin 2025. Edhe Londra dhe Lisbona, të cilat një vit më parë renditeshin përkatësisht në vendin e 13-të dhe të tetë, nuk figurojnë më në 15-shen e parë.
Në nivel global, ndryshimin më të madh e ka shënuar Montreali i Kanadasë, i cili është ngjitur nga vendi i 16-të në vitin 2026 në krye të renditjes. Në vitin 2025, qyteti renditej i gjashti.
15 qytetet më të sigurta në botë për vitin 2027
- Montreal, Kanada
- Zyrih, Zvicër
- Amsterdam, Holandë
- Tokio, Japoni
- Rejkjavik, Islandë
- Oslo, Norvegji
- Singapor
- Venecia, Itali
- Sidnej, Australi
- Honolulu, SHBA
- Dublin, Irlandë
- Kopenhagë, Danimarkë
- Barcelonë, Spanjë
- San Francisko, SHBA
- Paris, Francë
Si është realizuar studimi?
Renditja bazohet në një studim vjetor mbi perceptimin e sigurisë nga udhëtarët amerikanë. Fillimisht janë përzgjedhur 38 qytete, ndër destinacionet më të frekuentuara nga kjo kategori udhëtarësh.
Në anketë kanë marrë pjesë mbi 1.500 persona, të cilët kanë vlerësuar sigurinë vetëm në qytetet që i kanë vizituar personalisht, duke u mbështetur në përvojat e tyre.
Rezultatet janë kombinuar me të dhënat e indekseve të sigurisë së Numbeo dhe The Economist, si dhe me vlerësimet e GeoSure Global.
Sipas autorëve, renditja e këtij viti ka shënuar luhatje të pazakonta, ndërsa ndryshimet në pozicionet e qyteteve nga një vit në tjetrin janë pjesë e natyrshme e këtij klasifikimi.
Studimi pasqyron kryesisht perceptimin e sigurisë nga udhëtarët amerikanë dhe nuk përbën një matje të vetme apo universale të sigurisë në këto qytete.

