Protestat kundër rritjes së kostos së jetesës në Gjermani janë përshkallëzuar në dhunë gjatë mbrëmjes së së shtunës. Në Frankfurt, protestuesit thyen vitrina dhe plaçkitën biznese, ndërsa u përleshën me Policinë, e cila përdori edhe autobotë me ujë për shpërndarjen e turmave. Incidente u raportuan edhe në Berlin, Këln dhe Hamburg.
Sipas BBC-së, gjatë protestave disa pjesëmarrës hodhën fishekzjarrë, gurë dhe shishe në drejtim të forcave të rendit dhe shërbimeve të emergjencës.
Demonstratat u organizuan nga grupimi rinor “Gen Z regelt” (Gjenerata Z merr situatën në dorë), ku morën pjesë mijëra qytetarë, kryesisht të rinj.
Çfarë kërkojnë protestuesit?
Protestuesit kundërshtuan rritjen e kostos së jetesës, financimin e pamjaftueshëm të shkollave, shkurtimet e shpenzimeve publike dhe rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Zëdhënësja e grupimit organizator, Lina Friedrich, tha se protestat synojnë mbrojtjen e paqes dhe lirisë, duke kërkuar më shumë mbështetje për sistemin shëndetësor dhe atë arsimor, si dhe një shpërndarje më të drejtë të barrës ekonomike.
Ajo theksoi se organizatorët janë kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Plaçkitje dhe arrestime në Frankfurt
Situata u përshkallëzua në mbrëmje, kur Policia e Frankfurtit njoftoi për trazira në qendër të qytetit. Disa dyqaneve iu thyen vitrinat, ndërsa ndaj shërbimeve të emergjencës u hodhën edhe kokteje molotov.
Autoritetet raportuan gjithashtu se ishte thyer vitrina e një dyqani armësh. Pas arrestimit të një të dyshuari, Policia sekuestroi dy armë.
Sipas një zëdhënësi të Policisë, në Frankfurt pati një numër të madh arrestimesh, ndërsa një pjesë e madhe e rrugës kryesore tregtare u mbyll për shkak të incidenteve.
Autoritetet paralajmërojnë për përshkallëzim të dhunës
Ministri i Brendshëm i landit të Hessenit, Roman Poseck, deklaroi se rreth 100 persona, të identifikuar prej tij si ekstremistë të majtë, kishin depërtuar në protestën e zhvilluar në Frankfurt.
Poseck i cilësoi zhvillimet e mbrëmjes si të papranueshme dhe paralajmëroi kundër përsëritjes së skenave të dhunës të regjistruara së fundmi në Francë.
Sa qytetarë morën pjesë në protesta?
Autoritetet në Frankfurt, Mynih dhe Berlin raportuan pjesëmarrjen e deri në 18 mijë protestuesve, rreth gjysmën e numrit të parashikuar nga organizatorët. Ndërkohë, mediat gjermane raportuan për pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra qytetarëve në qytete të ndryshme të vendit.
Protestat në Gjermani u zhvilluan pas demonstratave të ngjashme në Francë, ku, sipas raportimit të publikuar, më shumë se 320 mijë persona dolën në rrugë gjatë së shtunës.

