Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se eksportet e vendit janë rritur për 27.5 për qind krahasuar me vitin 2021, katër herë më shpejt sesa importet. Gjatë takimeve me përfaqësues të bizneseve, ai ka theksuar se Qeveria synon të rrisë prodhimin vendor dhe të zvogëlojë varësinë nga produktet e importuara.
Në kuadër të aktivitetit “Data4Breakfast”, të organizuar gjatë tri mëngjeseve të punës, Kurti tha se janë zhvilluar diskutime me përfaqësues të bizneseve të tregtisë me pakicë, përpunimit të ushqimit dhe prodhimit të pijeve joalkoolike.
Sipas tij, sektori i pijeve është një shembull i potencialit që ka Kosova për të prodhuar dhe eksportuar më shumë.
Kurti theksoi se për të zgjeruar prodhimin dhe për të depërtuar në tregje të reja, kompanive u nevojiten kushte më të mira për investime dhe zhvillim.
Plani për një miliard euro, synimi zëvendësimi i importeve
Kreu i Qeverisë tha se përmes Planit Një Miliard Euro synohet që një pjesë e produkteve që aktualisht importohen të zëvendësohen me prodhim vendor.
Sipas tij, rritja e prodhimit në Kosovë do të ndikonte në zhvillimin e bizneseve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e eksporteve.
Ai përmendi edhe rritjen e pagës minimale, nga 170 në 500 euro, si dhe rritjen e pjesëmarrjes së grave dhe të rinjve në tregun e punës.
Kurti: Rregulla të barabarta dhe zero tolerancë ndaj korrupsionit
Kurti tha se konkurrenca në treg duhet të bazohet në cilësinë e produkteve dhe jo në privilegje apo favorizime.
“Zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe rregulla të barabarta për të gjithë”, ishte mesazhi i tij për klimën e të bërit biznes në Kosovë.
Ai shtoi se në vitin 2027 do të zhvillohen sërish takime me përfaqësuesit e bizneseve, me qëllim që të vlerësohen rezultatet e arritura dhe përparimi në këtë drejtim.
Deklaratat e Kurtit u publikuan përmes një videoje në rrjetet sociale, pas takimeve me përfaqësues të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë.

