Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar gjendjen ekonomike në vend, duke thënë se nga viti 2021 deri më sot çmimet janë rritur rreth 34 për qind.
Përmes një reagimi në Facebook, Bajrami ka theksuar se rritja nominale e buxhetit dhe e Bruto Produktit Vendor (BPV) nuk e pasqyron domosdoshmërisht gjendjen reale ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve.
Sipas saj, ndonëse qytetarët sot mund të kenë më shumë euro në dispozicion, fuqia e tyre blerëse është më e ulët për shkak të rritjes së çmimeve.
“Rritja e shifrave në letër nuk do të thotë domosdoshmërisht rritje e mirëqenies së qytetarëve”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka pretenduar gjithashtu se rreth 250 mijë qytetarë e kanë lëshuar Kosovën që nga viti 2021, duke e lidhur këtë me mungesën e mirëqenies ekonomike.
Reagimi i Bajramit vjen pas prezantimit të Projektbuxhetit të Kosovës për vitin 2027 nga kryeministri Albin Kurti, i cili ka paralajmëruar rritje të buxhetit, investime kapitale, pagën e 13-të dhe rritje graduale të shtesave për fëmijë.

