Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar se organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” është në rrezik, duke kërkuar nga kryeministri Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës zbatimin e marrëveshjeve dhe vendimeve të miratuara më parë.
Përmes një reagimi publik, Rama ka deklaruar se qasja e Qeverisë së Kosovës po rrezikon mbajtjen e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.
Ai i është referuar një letre të datës 15 tetor, për të cilën thotë se është dërguar nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG), ku, sipas tij, është paralajmëruar se veprimet e Qeverisë mund të rrezikojnë organizimin e këtij aktiviteti sportiv.
Rama ka bërë të ditur se në takimin e javës së kaluar të Komitetit Organizativ ka përsëritur qëndrimin se përgatitjet duhet të zhvillohen në koordinim të plotë me ICMG-në, duke shfrytëzuar përvojën dhe ekspertizën e këtij institucioni dhe duke zbatuar marrëveshjet e vendimet e miratuara deri më tani.
Rama: Prishtina i ka përmbushur obligimet e saj
Kryetari i Prishtinës ka pretenduar se kryeqyteti i ka përmbushur obligimet e veta dhe se vazhdimisht ka kërkuar nga Qeveria që të veprojë në të njëjtën mënyrë.
Ai ka paralajmëruar se rreziku për humbjen e organizimit të Lojërave Mesdhetare është serioz dhe i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që të zbatojë marrëveshjet dhe zotimet e nënshkruara.
“Koha po kalon dhe përgjegjësia nuk mund të mbulohet me fjalime militantësh pastaj!”, ka shkruar Rama.
Ai ka kërkuar që Qeveria të mos e rrezikojë këtë mundësi, të cilën e ka cilësuar historike për qytetarët e Kosovës.
Deri më tani, në reagimin e tij, Rama nuk ka paraqitur hollësi konkrete për shkeljet që pretendon se i ka bërë Qeveria. Po ashtu, përmbajtja e plotë e letrës së ICMG-së të datës 15 tetor nuk është përfshirë në postimin e tij.

