Administrata e presidentit amerikan Donald Trump pritet t’u kërkojë aleatëve të NATO-s që të rrisin kontributet financiare për blerjen dhe dërgimin e armëve amerikane në Ukrainë gjatë muajit nëntor. Lajmi raportohet nga agjencia “Bloomberg”, duke iu referuar burimeve që kanë njohuri për planet e Uashingtonit.
Nisma vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, vazhdojnë të jenë të tensionuara.
Ndërkohë, për datat 10 dhe 11 nëntor në Abu Dhabi është paraparë një raund i ri negociatash për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.
Sipas burimeve të cituara nga “Bloomberg”, administrata amerikane synon t’u kërkojë vendeve anëtare të Aleancës një kontribut më të madh financiar në programin e furnizimit me armë për Ukrainën.
Nëse kjo nismë konfirmohet, ajo do të tregonte se Uashingtoni synon të vazhdojë mbështetjen ushtarake për Kievin, por duke ua kaluar një pjesë më të madhe të barrës financiare aleatëve evropianë.
Deri më tani, bëhet fjalë për një plan të raportuar nga mediat, ndërsa nuk është bërë e ditur nëse kërkesa zyrtare do t’u paraqitet të gjithë anëtarëve të NATO-s dhe sa do të jetë kontributi i kërkuar.

