Samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Tiranë. Kjo u rikonfirmua nga sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte, gjatë takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në selinë e NATO-s në Bruksel.
Gjatë takimit, Rama dhe Rutte diskutuan për përgatitjet dhe organizimin e samitit, i cili pritet të ketë rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe për Aleancën, në një kohë kur siguria ndërkombëtare po përballet me sfida të shumta gjeopolitike.
Një pjesë e diskutimeve iu kushtua edhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe NATO-s për përballimin e kërcënimeve hibride, si sulmet kibernetike, dezinformimi, ndërhyrjet e huaja dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike.
Në fokus ishte edhe zhvillimi i Korridorit VIII si korridor i mobilitetit ushtarak, që lidh Adriatikun me Detin e Zi. Po ashtu, u diskutua për projektin e Porto Romanos dhe potencialin e tij për zhvillimin e kapaciteteve infrastrukturore e logjistike në mbështetje të nevojave strategjike të Aleancës.
Pas takimit, Rama e cilësoi Rutte-n si njohës të mirë të Evropës dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe mik të Shqipërisë.
“Gjithnjë të veçanta takimet me Sekretarin e Përgjithshëm, Mark Rutte, një njohës i spikatur i Europës, vëzhgues i vëmendshëm i Ballkanit Perëndimor dhe dashamirës i hapur i Shqipërisë”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Kryeministri shqiptar tha se ishte i kënaqur me vlerësimet dhe inkurajimin që mori për ecurinë e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri dhe seriozitetin e vendit në përmbushjen e detyrimeve ndaj NATO-s.
Në takim, Rama u shoqërua nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Mbajtja e samitit në Tiranë pritet të jetë një ngjarje e rëndësishme për Shqipërinë, duke e vendosur vendin në qendër të diskutimeve të nivelit të lartë për sigurinë dhe të ardhmen e Aleancës Veri-Atlantike.

