Sulmet ruse ndaj rrjetit elektrik të Ukrainës kanë lënë më shumë se 600 mijë persona pa energji elektrike në rajonin e Dnipropetrovskut. Ndërprerjet kanë prekur edhe infrastrukturën kritike, ndërsa autoritetet ukrainase po përpiqen të rikthejnë furnizimin me energji elektrike mes bombardimeve të vazhdueshme.
Sipas kompanisë së energjisë elektrike DTEK, sulmet e së shtunës kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha të furnizimit me energji në këtë rajon të Ukrainës juglindore.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, të dielën konfirmoi se një sulm gjatë natës në rajonin e Dnipros kishte dëmtuar infrastrukturën energjetike. Ai bëri të ditur se ndërprerje të energjisë janë regjistruar edhe në pjesë të tjera të vendit dhe se ekipet e riparimit po punojnë në qytetet dhe komunitetet e prekura.
Spitalet mbështeten te gjeneratorët
Guvernatori i rajonit, Oleksandr Hanzha, tha se punonjësit e kompanisë energjetike kanë nisur përpjekjet për rikthimin e furnizimit me energji elektrike, por puna e tyre po vështirësohet nga bombardimet e vazhdueshme ruse.
Për shkak të ndërprerjeve, spitalet dhe objektet e tjera të infrastrukturës kritike janë detyruar të mbështeten te gjeneratorët për të siguruar furnizimin me energji.
Rajoni i Dnipropetrovskut është një zonë e rëndësishme industriale, që kufizohet me territoret ku zhvillohen luftime aktive. Infrastruktura e tij ishte goditur edhe më 3 nëntor, gjatë një vale tjetër sulmesh ruse ndaj objekteve energjetike në Ukrainë.
Centrali bërthamor i Zaporizhzhias mbetet pa furnizim të jashtëm
Ndërprerjet e energjisë kanë prekur edhe centralin bërthamor të Zaporizhzhias.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) njoftoi të dielën se centrali kishte humbur furnizimin me energji elektrike gjatë natës dhe se po mbështetej te gjeneratorët emergjentë me naftë për ftohjen e reaktorëve dhe funksionet e tjera thelbësore të sigurisë bërthamore.
Zelenskyy kërkon sanksione të reja ndaj Rusisë
Sulmet ndodhin në prag të një raundi tjetër të bisedimeve të paqes mes Ukrainës dhe Rusisë, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, që pritet të zhvillohen në Abu Dhabi javën e ardhshme.
Pas sulmeve të reja, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë të rrisin presionin ndaj Moskës përmes sanksioneve, me qëllim që Rusia të pengohet të blejë ose të prodhojë raketa të reja.
Ai kërkoi që masat të koordinohen në të gjithë Evropën dhe vendet e G7-s.
“Nëse bota nuk ka aftësi të mjaftueshme antibalistike për të mbrojtur qiellin ukrainas, atëherë raketat duhet të ndalen në linjat e prodhimit”, deklaroi Zelenskyy.
