Rezultatet preliminare të zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH), në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, tregojnë se lista PVD-AL ka dalë e para për nga numri i votave, duke siguruar edhe numrin më të madh të mandateve.
Sipas të dhënave të publikuara, PVD-AL ka marrë 4.769 vota, që i sigurojnë 10 mandate në KKSH.
Në vendin e dytë renditet LPD-PDSH me 4.225 vota dhe 8 mandate, ndërsa APN ka siguruar 2.876 vota dhe 6 mandate.
Lista PD-LR ka marrë 2.753 vota, duke fituar 5 mandate.
Në total, katër listat kanë siguruar 14.623 vota dhe 29 mandate në Këshillin Kombëtar Shqiptar.
Rezultatet janë preliminare dhe paraqesin ndarjen aktuale të votave dhe mandateve ndërmjet subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhjet për KKSH-në.

