Kina ka vendosur të zgjasë edhe për dy muaj pezullimin e tarifave shtesë prej 24 për qind për mallrat amerikane, duke e shtyrë deri më 10 janar 2027 afatin e armëpushimit tregtar me Shtetet e Bashkuara.
Vendimi hyn në fuqi më 10 nëntor. Megjithatë, tarifa ekzistuese prej 10 për qind për importet amerikane do të vazhdojë të zbatohet, raporton Bloomberg.
Pekini ka njoftuar gjithashtu zgjatjen deri më 10 janar 2027 të pezullimit të tarifave të posaçme portuale për anijet e lidhura me SHBA-në, si dhe të disa kufizimeve për eksportin e mineraleve kritike dhe teknologjive përkatëse.
Masat vijnë pas marrëveshjes së arritur në shtator në Uashington mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe homologut të tij kinez, Xi Jinping, për vazhdimin e armëpushimit tregtar.
Marrëveshja fillestare ishte arritur në tetor të vitit 2025, gjatë takimit të dy liderëve në Busan të Koresë së Jugut. Në atë kohë, të dyja palët ranë dakord të pezullonin tarifat shtesë prej 24 për qind, duke mbajtur në fuqi tarifën prej 10 për qind.
Pas takimit të shtatorit, Uashingtoni dhe Pekini propozuan një paketë uljesh reciproke të tarifave me vlerë rreth 60 miliardë dollarë. Paketa përfshin edhe produkte bujqësore amerikane në vlerë rreth 17 miliardë dollarë, bazuar në importet kineze të vitit 2024, por ende nuk është finalizuar.
Ndërkohë, autoritetet kineze bëjnë të ditur se do të vazhdojnë të monitorojnë planet e SHBA-së për zëvendësimin e disa tarifave, të shpallura të pavlefshme nga gjykatat, me masa të reja në kuadër të Seksionit 301 të legjislacionit tregtar amerikan.
Trump dhe Xi pritet të takohen sërish javën e ardhshme, gjatë samitit të APEC-ut në Kinë.
