Kongresmeni republikan Thomas Massie, nga shteti i Kentucky-t, ka paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve nene për shkarkimin e sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, duke e akuzuar atë për shkelje të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.
Massie pretendon se Hegseth ka shkelur ligjin duke vazhduar operacionet ushtarake kundër Iranit për më shumë se 90 ditë pa autorizimin e Kongresit amerikan.
“Duke u angazhuar në armiqësi në Iran për më shumë se 90 ditë pa autorizimin e Kongresit, sekretari Hegseth po shkel ligjin dhe duhet të mbahet përgjegjës”, ka deklaruar Massie.
Megjithatë, nisma pritet të ketë pak gjasa të çojë në shkarkimin e Hegseth, pasi republikanët vazhdojnë të kontrollojnë Kongresin deri në janar.
Sipas raportimit, Massie synon të ushtrojë presion ndaj presidentit Donald Trump që ta shkarkojë vetë sekretarin e Mbrojtjes, përpara se demokratët të mund të ndërmarrin hapa të tjerë për nisjen e një procedure shkarkimi vitin e ardhshëm.
Massie është një nga republikanët që kanë kritikuar hapur Trumpin dhe vendimin e tij për të nisur luftën kundër Iranit. Ai humbi garën për rizgjedhje në fillim të këtij viti.
Hegseth: Nuk kam frikë nga shkarkimi
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka deklaruar se nuk është i shqetësuar nga nisma për shkarkimin e tij.
“Nuk kam frikë nga shkarkimi dhe, nëse është e nevojshme, do ta bëj përsëri gjithçka që është bërë”, ka thënë Hegseth, duke iu referuar veprimeve ushtarake kundër Iranit.
Ai ka bërë të ditur se synon të diskutojë publikisht operacionet ushtarake të ndërmarra nga administrata Trump kundër Teheranit, rebelëve Huthi në Jemen, si dhe zhvillimet që lidhen me rrëzimin e Nicolás Maduros.
Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka dalë në mbrojtje të Hegseth-ut. Duke komentuar nismën në margjinat e samitit të G7-s në Paris, Rubio e ka cilësuar procedurën si të padrejtë dhe e ka përshkruar sekretarin e Mbrojtjes si një profesionist të shkëlqyer.
Nisma e Massie-t pritet të hapë një debat të ri politik në Uashington lidhur me kompetencat e presidentit për përdorimin e forcës ushtarake dhe rolin kushtetues të Kongresit në autorizimin e luftës.

