Një shtetas gjerman me inicialet L.S. është arrestuar në rajonin e Gjilanit, nën dyshimin për përfshirje në krim të organizuar dhe trafikim të kundërligjshëm të armëve. Gjatë kontrollit të automjetit me të cilin po udhëtonte, Policia e Kosovës ka zbuluar dhe sekuestruar 43 armë të gjata automatike.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar për arrestimin e një shtetasi gjerman, i dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me krimin e organizuar dhe trafikimin e kundërligjshëm të armëve.
Sipas komunikatës së përbashkët, arrestimi është realizuar me urdhër të Prokurorisë Speciale nga hetuesit e Policisë së Kosovës, përkatësisht nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.
I dyshuari, me inicialet L.S., fillimisht është ndaluar në rajonin e Gjilanit. Pas ndalimit, automjeti me të cilin po udhëtonte është dërguar për kontroll dhe skanim të mëtejshëm.
Gjatë kontrollit janë zbuluar dhe sekuestruar 43 armë të gjata automatike.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se arrestimi është rezultat i hetimeve të përbashkëta.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.

