Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Irlandës, ku do të marrë pjesë në Samitin e IX të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Sipas njoftimit të Qeverisë së Kosovës, gjatë qëndrimit në Dublin, Kurti do të zhvillojë takime dypalëshe me liderë dhe përfaqësues të shteteve, si dhe me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare.
Vizita në Irlandë vjen pas qëndrimit treditësh të Kurtit në Francë, ku mori pjesë në Forumin e Paqes në Paris.
Gjatë vizitës në Francë, të mërkurën, Kurti u takua edhe me presidentin Emmanuel Macron. Pas takimit, ai bëri të ditur se kishte theksuar rëndësinë e mbështetjes së Francës për Kosovën në procesin e integrimit evropian, veçanërisht për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
