Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar mbështetjen e Irlandës për avancimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, duke theksuar se vendi synon fillimisht marrjen e statusit të kandidatit dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Kurti i bëri këto deklarata në Dublin, pas pritjes nga kryeministri irlandez, Micheál Martin, në kuadër të takimit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Ai falënderoi Martin për ftesën dhe mikpritjen, ndërsa Irlandën e cilësoi si një shembull të suksesit të integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Republika e Kosovës gjithashtu dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por për të arritur aty së pari duhet të marrim statusin e vendit kandidat dhe të hapim negociatat për anëtarësim. Ne llogarisim në presidencën irlandeze”, deklaroi Kurti.
Falënderon Irlandën për strehimin e refugjatëve shqiptarë më 1999
Gjatë deklarimit për media, Kurti shprehu mirënjohje për popullin irlandez, i cili, sipas tij, në vitin 1999 strehoi më shumë se një mijë refugjatë shqiptarë të Kosovës, të dëbuar nga vendi për shkak të gjenocidit të forcave serbe dhe jugosllave.
Ai gjithashtu falënderoi ushtarët dhe oficerët irlandezë që kanë shërbyer në kuadër të KFOR-it për më shumë se dy dekada e gjysmë, duke kontribuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.
Kurti theksoi se Bashkimi Evropian dhe NATO-ja janë organizata të rëndësishme për demokracinë, prosperitetin dhe sigurinë.
Kurti: EPC ndihmon në bashkërendimin e qëndrimeve përballë agresionit rus
Duke folur për rëndësinë e takimit të Komunitetit Politik Evropian, Kurti tha se është e rëndësishme që liderët të takohen dhe të harmonizojnë qëndrimet në një kohë kur agresioni rus në Ukrainë po vazhdon.
Ai përmendi sulmet ndaj infrastrukturës kritike dhe luftën hibride, duke theksuar se këto zhvillime kanë pasoja që shtrihen përtej territorit të Ukrainës.
“EPC ndihmon, sepse mblidhen liderët dhe bashkojnë forcat”, u shpreh Kurti.
