Presidenti amerikan Donald Trump do të takohet me homologët e tij rus dhe kinez, Vladimir Putin dhe Xi Jinping, javën e ardhshme në qytetin Shenzhen të Kinës. Takimi trepalësh pritet të zhvillohet në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Lajmi u bë i ditur të premten nga Shtëpia e Bardhë, e cila konfirmoi se takimi do të mbahet në Shenzhen, në juglindje të Kinës.
Sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Olivia Wales, një nga temat kryesore të diskutimit do të jetë reduktimi i armëve bërthamore në nivel global.
“Presidenti e ka bërë të qartë se, ndër tema të tjera, ai do të diskutojë reduktimin e armëve bërthamore në botë. Ky përhapje, beson Presidenti Trump, është shumë e rrezikshme”, deklaroi Wales.
Zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur se Trump pritet të diskutojë gjithashtu luftën në Iran, por jo atë në Ukrainë.
Një zyrtar i lartë amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se Uashingtoni po zhvillon një proces të veçantë negociatash me Kievin dhe Moskën për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Sipas tij, Kina nuk është pjesë e këtij procesi, ndaj çështja e Ukrainës nuk pritet të trajtohet në takimin në Shenzhen.
Deri më tani, Moska dhe Pekini nuk kanë komentuar zyrtarisht mbi takimin e raportuar.
Trump do të takohet edhe veçmas me Xi Jinpingun
Përveç takimit trepalësh, Trump pritet të zhvillojë edhe bisedime dypalëshe me presidentin kinez, Xi Jinping.
Presidenti amerikan do të largohet nga Uashingtoni të hënën, fillimisht drejt Filipineve, ku do të marrë pjesë në një takim të Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), përpara se të udhëtojë drejt Shenzhenit.
Në udhëtim pritet ta shoqërojë edhe Elon Musk, drejtuesi i Tesla-s dhe SpaceX-it. Megjithatë, sipas zyrtarëve amerikanë, Musk nuk do të marrë pjesë në takimin me Xi Jinpingun dhe Vladimir Putinin.
Samiti i APEC-ut në Kinë
Takimi i Udhëheqësve Ekonomikë të APEC-ut për vitin 2026 do të mbahet më 18 dhe 19 nëntor, duke mbledhur përfaqësuesit e 21 ekonomive anëtare.
Në fokus të samitit do të jenë inteligjenca artificiale, tensionet tregtare dhe rritja ekonomike.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, tha se Pekini pret që samiti të prodhojë rezultate konkrete në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht në fushat e inteligjencës artificiale, tregtisë, lidhshmërisë dhe ekonomisë digjitale.

