Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot, më 17 nëntor, duke filluar nga ora 15:00, për të shqyrtuar propozimet për rendin e ditës së seancës së ardhshme plenare. Ndër çështjet kryesore është Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027.
Sipas rendit të propozuar, Projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2027 pritet të përfshihet në seancën e ardhshme për shqyrtim në lexim të parë.
Në mesin e pikave të tjera janë edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Efiçiencën e Energjisë dhe i Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.
Në rend dite edhe emërimet në institucione publike
Kryesia pritet të shqyrtojë edhe përfshirjen në rendin e ditës të emërimit të anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, si dhe zgjedhjen e katër anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK).
Nga katër pozitat e propozuara në Bordin e RTK-së, dy janë për përfaqësues të komunitetit shqiptar, një për komunitetin serb dhe një për komunitetet e tjera joshumicë.
Po ashtu, në mesin e çështjeve të propozuara për shqyrtim është rekomandimi për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Shqyrtohet edhe propozimi i LDK-së për komisionin hetimor
Kryesia do të trajtojë gjithashtu propozimin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Parlamentar Hetimor që merret me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.
Në mbledhjen e sotme pritet të diskutohet për caktimin e rendit të ditës, ndërsa shqyrtimi dhe votimi i projektligjeve dhe çështjeve të tjera do të bëhet në seancën plenare, sipas procedurave parlamentare.

