Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 83 vota pro Projektligjin për ratifikimin e Protokollit për ndryshimin e Marrëveshjes mbi statusin dhe funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se ratifikimi i këtij protokolli garanton të drejtën e Kosovës për përfaqësim dhe vendimmarrje të barabartë në strukturat e Komisionit, duke forcuar njëkohësisht bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e personave të zhdukur.
Sipas saj, marrëveshja sjell përfitime të drejtpërdrejta profesionale dhe institucionale, veçanërisht në ngritjen e kapaciteteve të mjekëve ligjorë dhe specialistëve kosovarë që merren me identifikimin e personave të zhdukur.
“Ratifikimi i këtij protokolli ruan të pacënuar të drejtën e plotë të Republikës së Kosovës për përfaqësim dhe vendimmarrje të barabartë si shtet palë në çdo strukturë të Komisionit”, deklaroi Gërvalla.
Ajo theksoi se marrëveshja do të kontribuojë edhe në zhvillimin profesional të institucioneve vendore që trajtojnë çështjet e personave të zhdukur, një fushë me rëndësi të veçantë për drejtësinë dhe familjet që vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre.
Ministrja shtoi se ratifikimi është në përputhje me objektivat e politikës së jashtme të Kosovës për forcimin e pranisë dhe përfaqësimit të vendit në organizatat ndërkombëtare.
Miratimi i këtij projektligji synon të forcojë pozitën institucionale të Kosovës në kuadër të Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, si dhe bashkëpunimin në proceset e identifikimit dhe trajtimit të rasteve të personave të zhdukur.

