Të hënën në Kosovë pritet përkeqësim i kushteve atmosferike, si pasojë e depërtimit të një fronti të fuqishëm të ftohtë ajror. Fillimisht do të fryjnë erëra të fuqishme lokale nga jugperëndimi, të shoqëruara me reshje shiu dhe mundësi për rrebeshe me vetëtima e bubullima.
Gjatë paradites pritet depërtimi i frontit të ftohtë, i cili do të sjellë erëra të fuqishme nga veriu dhe veriperëndimi, vranësira të dendura dhe reshje kalimtare intensive shiu. Në viset malore parashihen reshje të dendura bore.
Temperaturat do të pësojnë rënie të theksuar pas kalimit të frontit të ftohtë. Maksimalet pritet të arrijnë deri në 11°C përpara depërtimit të tij, ndërsa më pas do të zbresin me shpejtësi, fillimisht në veri të vendit dhe gradualisht edhe në pjesët jugore të Kosovës.

