Dy ditë para Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, ministrat e Jashtëm të vendeve të rajonit janë mbledhur në Athinë, në një takim ku u diskutua për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, tha se integrimi i rajonit është i rëndësishëm për Evropën, por kërkoi reforma konkrete, sundim të ligjit dhe luftë kundër korrupsionit. Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, e cilësoi zgjerimin si thelbësor për transformimin dhe stabilitetin e rajonit.
Takimi u organizua të hënën në Athinë, me iniciativën e ministrit të Jashtëm grek, George Gerapetritis, dhe në të morën pjesë përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ministrat e Jashtëm të grupit të vendeve të BE-së të njohur si “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, si dhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Diskutimet u zhvilluan në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, që është paraparë të mbahet më 25 nëntor në Bruksel.
Greqia: Integrimi duhet të bazohet në meritë dhe reforma
Ministri i Jashtëm grek, George Gerapetritis, rikonfirmoi mbështetjen e Greqisë për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke theksuar se procesi duhet të vazhdojë me ritëm më të shpejtë.
Ai vlerësoi përparimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi në negociatat e anëtarësimit, por nënvizoi se vendet kandidate duhet të përmbushin standardet demokratike dhe kriteret e kërkuara nga BE-ja.
Duke iu referuar Shqipërisë, Gerapetritis tha se vendi ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave brenda një viti dhe ka mbyllur katër prej tyre, ndërsa pesë të tjerë janë ende në diskutim.
“Qeverisja demokratike, respektimi i të drejtave të njeriut dhe lufta kundër korrupsionit nuk janë thjesht parakushte për anëtarësimin, por çelësi i transformimit të rajonit”, deklaroi ai.
Kryediplomati grek theksoi se rruga drejt anëtarësimit nuk duhet të përfshijë uljen e standardeve, por mbështetjen e vendeve të rajonit për t’i përmbushur ato.
Ai gjithashtu kërkoi respektimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe të së drejtës ndërkombëtare, duke i cilësuar këto si kushte të rëndësishme për stabilitetin dhe mirëqenien e rajonit.
Hoxha: Zgjerimi është thelbësor për transformimin e rajonit
Në kuadër të takimit në Athinë, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi edhe një takim dypalësh me homologun grek, George Gerapetritis.
Hoxha vlerësoi mbështetjen e Greqisë për integrimin evropian të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar rëndësinë e një procesi të besueshëm, të bazuar në meritë dhe me vizion afatgjatë.
“Një proces zgjerimi i besueshëm, i bazuar në meritë dhe me vizion për të ardhmen, është thelbësor jo vetëm për transformimin e Ballkanit Perëndimor, por edhe për sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të Evropës”, u shpreh Hoxha.
Ai theksoi se partneriteti strategjik, miqësia, dialogu konstruktiv dhe perspektiva e përbashkët evropiane përbëjnë bazën e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.
Çfarë u tha për Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit?
Në fjalën e tij, Gerapetritis përmendi edhe përparimin dhe sfidat e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Për Kosovën, ai mirëpriti përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe përmirësimin e kushteve në mjedisin e biznesit.
Për Malin e Zi tha se përbën një shembull të përparimit në procesin e zgjerimit, ndërsa për Maqedoninë e Veriut vlerësoi zhvillimet në transformimin digjital, përafrimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë, si dhe reformën e administratës publike.
Sa i përket Serbisë, ai përmendi masat reformuese në sistemin gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, mediat dhe kuadrin zgjedhor. Ndërsa për Bosnjë-Hercegovinën theksoi nevojën për vazhdimin e reformave dhe përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit.
Greqia merr presidencën e Këshillit të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2027
Gerapetritis theksoi se Greqia do të vazhdojë të mbështesë integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor, duke paralajmëruar se kjo çështje do të jetë ndër prioritetet e saj edhe gjatë Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian në gjysmën e dytë të vitit 2027.
Sipas tij, anëtarësimi i vendeve të rajonit në BE përfaqëson një investim në paqe, siguri dhe mirëqenie, si për Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe për vetë Bashkimin Evropian.
Takimi në Athinë u përqendrua gjithashtu te sundimi i ligjit, qeverisja demokratike, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe mbështetja e ODIHR-it për reformat demokratike në vendet e rajonit.
