Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar një mbledhje të përbashkët me drejtuesit e qendrave të saj në Kosovë, ku është diskutuar për situatën aktuale politike në vend, zhvillimet e fundit dhe përgatitjet për procesin e zgjedhjeve të brendshme të kësaj partie.
Në mbledhjen e zhvilluar në selinë qendrore të Vetëvendosjes morën pjesë kryetari i partisë, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sekretari organizativ, Alim Rama, kryetarja e organizatës Gratë për Vetëvendosje, njëherësh kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, dhe koordinatori i Rinisë për Vetëvendosje, Libron Kelmendi.
Sipas njoftimit të partisë, vëmendje e veçantë gjatë takimit i është kushtuar procesit të zgjedhjeve të brendshme, të shpallura më 1 nëntor 2026, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm.
Zgjedhjet e brendshme hyjnë në fazën e përgatitjeve intensive
Procesi zgjedhor, i cili duhet të përmbyllet brenda gjashtë muajve nga shpallja, tashmë ka hyrë në fazën e përgatitjeve intensive.
Qendrat e Vetëvendosjes nëpër komunat e Kosovës kanë filluar hartimin e kalendarëve zgjedhorë, përditësimin e listave të anëtarësisë dhe ndërmarrjen e hapave organizativë për zhvillimin e zgjedhjeve.
Sipas kësaj partie, procesi synon jo vetëm ripërtëritjen e strukturave drejtuese, por edhe përfshirjen e gjeneratave të reja, profesionistëve dhe zgjerimin e pjesëmarrjes së anëtarësisë në jetën politike dhe organizative.
“Zgjedhjet e brendshme nuk janë vetëm një proces formal i rifreskimit të strukturave, por një mundësi për fuqizimin e mëtejshëm të organizatës”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.
Procesi zgjedhor do të shtrihet në të gjitha komunat
Sipas njoftimit, aktivitetet organizative dhe zgjedhore do të shtrihen nëpër lagje dhe fshatra të komunave gjithandej Kosovës.
Vetëvendosje ka bërë të ditur se përmes këtij procesi synon të forcojë strukturat lokale dhe të zgjerojë komunikimin me qytetarët.
Në njoftimin e publikuar nuk janë dhënë hollësi për datat konkrete të zgjedhjeve në secilën qendër, ndërsa procesi, sipas afatit të përcaktuar, pritet të përmbyllet deri në fillim të majit 2027.

