Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Aleanca do të mbrojë territorin e saj nga çdo kërcënim, përfshirë edhe atë që mund të vijë nga hapësira. Deklarata vjen pas raportimeve se Rusia mund të jetë duke përgatitur lëshimin e një sateliti të pajisur me armë bërthamore.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, gjatë këtij muaji vendet anëtare të NATO-s kanë marrë informacione nga inteligjenca lidhur me mundësinë e lëshimit të një sateliti të tillë nga Rusia brenda 60 ditëve të ardhshme.
Megjithatë, deri më tani nuk është bërë e ditur se cili shtet i ka hartuar këto raporte.
I pyetur për këto informacione gjatë një konference për media në Berlin, Rutte theksoi se NATO do të garantojë sigurinë e të gjithë territorit të saj, duke përfshirë edhe hapësirën.
“Ne do të sigurohemi gjithmonë që të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s dhe kjo përfshin edhe garantimin e sigurisë sonë në aspektin hapësinor”, deklaroi Rutte.
Ai bëri të ditur se Aleanca disponon një sërë mundësish për reagim dhe se do të vazhdojë të vlerësojë kapacitetet e saj të mbrojtjes dhe parandalimit të kërcënimeve.
“Kur bëhet fjalë për fushën ushtarake, ne do të vlerësojmë gjithmonë masat tona të parandalimit dhe mbrojtjes dhe do t’i përditësojmë ato aty ku është e nevojshme”, u shpreh kreu i NATO-s.
Raportimet për një satelit të mundshëm rus të pajisur me armë bërthamore kanë ngritur shqetësime për sigurinë në hapësirë dhe për pasojat që një zhvillim i tillë mund të ketë për sistemet satelitore dhe sigurinë ndërkombëtare.

