Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka theksuar rëndësinë historike dhe kombëtare të 28 Nëntorit, duke bërë thirrje për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe nderimin e sakrificës së brezave që luftuan për liri dhe pavarësi.
Këto deklarata presidentja i bëri gjatë pritjes së organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.
Në fjalimin e saj, Shiroka Pula theksoi se flamuri kuqezi, me shqiponjën dykrenare, përfaqëson jo vetëm simbolin e shtetit shqiptar, por edhe identitetin e mbarë kombit shqiptar, kudo që jeton.
Ajo rikujtoi shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912, nën udhëheqjen e Ismail Qemalit, duke vlerësuar kontributin e patriotëve nga të gjitha trevat shqiptare, përfshirë Hasan Prishtinën dhe Isa Boletinin.
28 Nëntori, ndërmjet kujtesës historike dhe luftës për liri
Presidentja Shiroka Pula nënvizoi se 28 Nëntori bashkon katër ngjarje të rëndësishme të historisë kombëtare: Ditën e Flamurit, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Duke vlerësuar sakrificën e familjes Jashari, presidentja theksoi se lufta e UÇK-së ishte luftë për liri dhe për të drejtën e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë në vendin e vet.
Ajo tha se flamuri kuqezi u bë simbol i qëndresës dhe i luftës çlirimtare të Kosovës, duke përfaqësuar aspiratën e brezave për liri dhe dinjitet.
Presidentja për procesin në Hagë: Asnjë gjykim nuk mund ta zhbëjë të drejtën e Kosovës për liri
Duke iu referuar procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, Shiroka Pula deklaroi se asnjë proces gjyqësor nuk mund ta zhbëjë të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe sakrificën mbi të cilën është ndërtuar ajo.
Presidentja bëri thirrje që kujtesa historike të ruhet dhe kontributi i brezave që luftuan për lirinë e vendit të mos harrohet.
Sipas saj, flamuri që valëvitet sot është amanet i atyre që luftuan, sakrifikuan dhe dhanë jetën për të, ndërsa përgjegjësia e brezave të sotëm është ta nderojnë atë me punë, dije dhe përkushtim.
Kosova dhe Shqipëria, me synim të përbashkët drejt Bashkimit Evropian
Në fjalimin e saj, presidentja përgëzoi Shqipërinë për përparimin në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke shprehur urimin që flamuri kuqezi së shpejti të valëvitet edhe në Bruksel.
Ajo theksoi nevojën për thellimin e bashkëpunimit dhe integrimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për ruajtjen e gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë së përbashkët kombëtare.
“Më shumë Kosovë në Shqipëri dhe më shumë Shqipëri në Kosovë, deri te dita kur së bashku do të ngremë dolli në Bruksel!”, ka përfunduar presidentja Shiroka Pula.

