Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka shprehur pakënaqësi ndaj Shteteve të Bashkuara për vonesat në furnizimin me raketa kundërajrore Patriot, duke paralajmëruar se mungesa e tyre po kushton jetë njerëzish në Ukrainë.
Në një intervistë për BBC-në, të zhvilluar në zyrën e tij në Kiev, Zelensky kritikoi gjithashtu Uashingtonin për atë që e konsideron presion të pamjaftueshëm ndaj Rusisë në kuadër të negociatave për përfundimin e luftës.
Ai tha se Ukraina përballet me mungesë të madhe të raketave interceptuese, të nevojshme për të ndalur sulmet balistike ruse. Sipas tij, shqetësim i veçantë është fakti se SHBA-ja po i jep përparësi Lindjes së Mesme në shpërndarjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore.
“Është për të ardhur keq që ata janë përqendruar te Lindja e Mesme dhe po i ndihmojnë më shumë. Kemi pyetje të mëdha për këtë. Mungesa e këtyre raketave nënkupton humbje jetësh njerëzore”, deklaroi Zelensky.
Zelensky: Putini nuk mund të jetë mik
Gjatë intervistës, presidenti ukrainas komentoi edhe një fotografi të publikuar nga presidenti amerikan Donald Trump, në të cilën ai shfaqej duke përqafuar presidentin rus Vladimir Putin dhe e cilësonte atë si mik.
Zelensky e cilësoi të çuditshëm këtë gjest, duke theksuar se Putini është përgjegjës për agresionin ndaj Ukrainës dhe se nuk mund të konsiderohet mik.
Ai e krahasoi një qëndrim të tillë me miqësinë me Adolf Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Është agresor dhe vrasës. Ai nuk mund të jetë mik. Thjesht nuk mundet”, u shpreh presidenti ukrainas.
Deklaratat e Zelenskyt vijnë në një periudhë kur Ukraina vazhdon të kërkojë më shumë mbështetje ushtarake dhe diplomatike nga aleatët perëndimorë, ndërsa sulmet ruse dhe përpjekjet për negociata vazhdojnë.

