Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, duke e ndërlidhur festën kombëtare me perspektivën evropiane të vendit.
Përmes një publikimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare ka ndarë një fotografi nga Vlora, qyteti ku më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë.
“Mirëmëngjes dhe me 28 Nëntorin më të afërt me Europën e Bashkuar, ju uroj fundjavë të gëzuar”, ka shkruar Rama.
Në mesazhin e tij, kryeministri shqiptar ka vënë theksin te aspirata e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë përvjetor si më të afërt me realizimin e këtij objektivi.
Shqipëria shënon sot 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare, që simbolizon kurorëzimin e përpjekjeve për liri, pavarësi dhe shtetësi.

