Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka harxhuar afro 4 muaj kohë për të hartuar një përgjigje, e cila në fund rezultoi të ishte një “mos-përgjigje” klasike. Pas një sage administrative që nisi në fillim të vitit, institucioni më i lartë ekzekutiv në vend ka zgjedhur të heshtë mbi detajet e pagesës së qirasë së kryeministrit Albin Kurti, duke u mjaftuar me konstatimin se çështja është “private”.
Gjithçka nisi me 13 janar, kur Insajderi u drejtua me pyetje zyrtare drejt Kryeministrisë.
Interesi publik ishte i thjeshtë dhe legjitim: Në çfarë forme realizohet pagesa e qirasë nga ana e Kryeministrit? A bëhet përmes transaksionit bankar apo në formë tjetër (cash)? Po ashtu, u kërkua informacion nëse z. Kurti posedon një kontratë të rregullt mbi qiranë, të lidhur sipas legjislacionit në fuqi, dhe qasje në kopjen e saj.
Këto pyetje kanë qenë “mision i pamundur” për t’u sqaruar brenda afateve ligjore.
U deshën afro 4 muaj pritje dhe, mbi të gjitha, ndërhyrja e detyrueshme e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, që Zyra e Kryeministrit të thyente heshtjen. Pa presionin e AIP-së, pas ankesës së dorëzuar me 3 shkurt, me shumë gjasa kjo përgjigje nuk do të kishte arritur kurrë.
Më 8 maj, pas gjithë kësaj zvarritjeje, erdhi edhe sqarimi i shumëpritur, i cili në fakt nuk sqaron asgjë mbi formën e pagesës.
“Qiraja për banim e kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nuk paguhet nga buxheti i shtetit. Andaj, forma e pagesës së qirasë nga z. Kurti i përket çështjeve private dhe jo institucionale. Ndërkaq, vlerën e qirasë e gjeni në deklarimin e pasurisë, që është publik”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.
Për t’u informuar mbi koston e jetesës së kryeministrit në shtëpinë ku u zhvendos pesë vite më parë në lagjen “Taslixhe”, qytetarët duhet t’u referohen regjistrave të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Në deklarimin e pasurisë për vitin 2026, Albin Kurti ka specifikuar detyrimin financiar për banimin e tij. Sipas dokumentit zyrtar, qiraja mujore e shtëpisë kap vlerën prej 350 euro, 100 euro më shumë se vitin e kaluar.
Ky detyrim figuron në emër të kryeministrit në detyrë.
Përderisa kostoja e jetesës për kryeministrin në detyrë Albin Kurti në lagjen “Taslixhe” është rritur, llogaria e tij bankare ka pësuar rënie drastike.
Sipas deklarimit të pasurisë për vitin 2026, qiraja mujore e shtëpisë ku ai banon është shtrenjtuar për 100 euro, duke kaluar nga 250 në 350 euro.
Në anën tjetër, paratë e gatshme në emër të tij kanë shënuar rënie të ndjeshme; nga 1,800 euro sa kishte deklaruar vitin e kaluar, Kurti tani posedon vetëm 16.41 centë kursime në bankë.
Sa i përket pasurisë së paluajtshme, ai ka deklaruar sërish banesën e bashkëshortes në vlerë prej 530 mijë eurosh. Bashkëshortja e tij figuron edhe si mbajtëse e kursimeve prej 19,500 eurosh, ndërsa në emër të vajzës janë deklaruar mbi 2 mijë euro.
Në rubrikën e detyrimeve, përveç qirasë, mbetet edhe kredia e bashkëshortes për blerjen e apartamentit, me një vlerë të mbetur prej 160 mijë eurosh. Sa i përket të hyrave vjetore, Kurti ka deklaruar pagën si Kryeministër në vlerë prej 21,315 eurosh, teksa të hyrat e bashkëshortes arrijnë në 51 mijë euro.

