Para pesë vite e gjysmë, Lumir Abdixhiku mori 191 vota nga 328 delegatë të pranishëm të Kuvendit të LDK-së për ta drejtuar partinë.
58% e organit më të lartë drejtues i besuan lidershipin e partisë pas fiaskos elektorale të 14 shkurtit 2021.
Atëherë, Isa Mustafa lëshoi karrigen e të parit të partisë, duke marrë përgjegjësinë për rënien elektorale.
LDK kishte rënë në 12.7%, rezultati më i dobët ndonjëherë i partisë më të vjetër në Kosovë.
Abdixhiku e mori partinë me krenari të zellshme, duke thënë se të vjetrit “nuk kanë të drejtë të flasin.”
Pesë vite më vonë, pas tri palëve zgjedhjesh, konsiderohet t’i ketë shterruar mundësitë për ngritje elektorale.
Rezultatet e partisë kanë variuar mes 18%, 13% dhe 16% gjatë këtyre viteve.
Në janar të këtij viti, Kuvendi Zgjedhor i LDK-së e hodhi Abdixhikun në votëbesim.
Ai kaloi me legjitimitet mbijetues prej 54%, ndërsa 46% e partisë ishin kundër drejtimit të tij.
Shtatë muaj më vonë, e njëjta iniciativë është ngritur sërish kundër tij.
Të enjten, më 30 korrik, Abdixhiku vendoset përsëri në vagë brenda partisë.
151 nënshkrime u deponuan në Sekretariat të LDK-së për ta (zh)votuar Abdixhikun.
Kuvendi ka 355 delegatë dhe nevojiten 177 vota për shkarkimin e tij, nëse janë të pranishëm të gjithë.
Iniciatorët konsiderojnë se Abdixhiku e ka shpenzuar mundësinë e tij dhe “duhet me lëshu rrugë.”
Gazmend Muhaxheri, mbrëmë në Pressing të T7, tregoi çfarë i pati thënë Abdixhikut pas Kuvendit të 31 janarit.
“Nuk mundemi më me ty, rezultatin e ke të keq,” tha Muhaxheri se i pati thënë.
“I kam thënë në katër sy, duhet me shku kryetar, duhet me shku edhe unë me ty,” shtoi ai.
“Edhe unë kam përgjegjësi që kam besu në ty… qytetarët nuk po të besojnë e duhet me lëshu rrugë,” deklaroi Muhaxheri.
Muhaxheri, dikur mbështetës i madh i Abdixhikut, tani është një nga iniciatorët e shkarkimit të tij.
Ai rikujtoi se çdo i dyti delegat ishte kundër Abdixhikut për të qenë kryetar.
Gjithashtu theksoi se 40% e elektoratit të LDK-së nuk e votoi partinë më 7 qershor.
Sipas Muhaxherit, partia duhet të hapë një proces të ri zgjedhor me garues të shumtë.
“Nëse ke ra në vendin e tretë duhesh me u përgatit me lëshu rrugë,” deklaroi ai.
Edhe Avdullah Hoti ka kritikuar lidershipin aktual, duke thënë se partia nuk mund të pajtohet me humbjet.
“Nuk mund të ulim kokën dhe të ndihemi rehat me këto rezultate të dobëta,” shkroi Hoti.
Sipas tij, një parti që nuk kërkon llogaridhënie pas humbjeve nuk i shërben interesit të vet politik.
Hoti argumentoi se iniciativa për Kuvend përputhet me mekanizmat demokratikë të brendshëm të partisë.
Ai tha se lidershipi aktual nuk ka respektuar standardin e vendosur nga Isa Mustafa më 2021.
Atëherë, Mustafa mori përgjegjësi pas humbjes dhe hapi rrugën për zgjedhjen e Abdixhikut.
Në të njëjtën linjë, Hykmete Bajrami tha se Kuvendi do të tregojë kënaqësinë e delegatëve me drejtimin e LDK-së.
Ajo theksoi se partia ka përfunduar e treta në tri zgjedhje parlamentare radhazi.
Bajrami shtoi se LDK nuk ka arritur fitore të rëndësishme as në nivel lokal.
“Nëse përgjigjja është ‘jo’, atëherë duhet të kemi guxim për ndryshim,” shkroi ajo.
Sipas saj, rezultatet e dobëta të përsëritura nuk mund të shpjegohen vetëm me rrethana politike.
“Kur rezultatet mungojnë një herë, mund të flitet për rrethana,” deklaroi Bajrami.
“Kur mungojnë vazhdimisht, përgjegjësia nuk mund t’u mvishet më rrethanave,” shtoi ajo.
Nga ç’kupton Nacionale, deri më tash, raporti i forcave duket në favor të Abdixhikut për të mbetur kryetar.

