Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia e tij synon një bashkim të madh të spektrit të djathtë politik në Kosovë.
Ai theksoi se në një projekt të tillë politik do të kishte rol të rëndësishëm edhe Presidentja Vjosa Osmani, ndonëse aktualisht, për shkak të postit që mban, nuk mund të flitet më gjerësisht për angazhime të saj politike.
“Është koha për një bashkim të madh dhe jo për interesa individuale. Nuk kemi njerëz për të humbur dhe të gjitha potencialet duhet të bashkohen”, deklaroi Abdixhiku në një intervistë për Klan Kosova.
Sipas tij, qëllimi është rikthimi dhe forcimi i së djathtës në vend përmes një bashkimi sa më të gjerë politik, ku mund të përfshihen të gjithë ata që besojnë në vlerat e së djathtës dhe në orientimin properëndimor të Kosovës.

