Punëtorët e administratës publike në Kosovë do ta marrin pagën e 13-të në fillim të vitit 2026, ka konfirmuar Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë një vizite në Telekomin e Kosovës.
Sipas tij, Ligji për Buxhetin 2026 – i miratuar paraprakisht në Qeveri më 31 tetor – do të dërgohet për miratim në mbledhjen e parë të Qeverisë së re, sapo të konstituohet Kuvendi dhe të formohet ekzekutivi.
“Me ligjin e buxhetit për vitin 2026 parashihet paga e 13-të. Kush punon 12 muaj në administratën shtetërore i ka 13 paga, por paga e 13-të nuk merret në fund të vitit, por në fillim të vitit të ardhshëm,” tha Kurti.
Ai sqaroi se shpërndarja do të bëhet menjëherë pas formimit të Qeverisë, duke theksuar se vendimi për pagesën do të merret që në seancën e parë qeveritare, bashkë me vendime të tjera të rëndësishme.
I pyetur për lidhjen e këtij vendimi me fushatën zgjedhore, Kurti theksoi se zgjedhjet tashmë kanë përfunduar dhe se masa është pjesë e planifikimit buxhetor për vitin e ardhshëm.
Vendimi pritet të prekë mijëra punonjës të administratës publike dhe konsiderohet një nga masat kryesore sociale të parashikuara në buxhetin e vitit 2026.

