Gazetari Adriatik Kelmendi ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social Facebook se të hënën, në orën 21:00, në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova do të mbahet debati i parë ballafaques mes kandidatëve për kryetar të Prishtinës.
Sipas tij, pjesëmarrjen tashmë e kanë konfirmuar:
-
Përparim Rama (LDK)
-
Uran Ismaili (PDK)
-
Bekë Berisha (AAK)
-
Besa Shahini (PSD)
Kelmendi bëri të ditur se ftesë i është bërë edhe kandidatit të LVV-së, Hajrulla Çeku, i cili është përgjigjur me mirësjellje dhe ka lënë të kuptohet se vendimi për pjesëmarrje do të merret pas konsultimit me ekipin e tij. Megjithatë, ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në reagimin e tij, gazetari ka sqaruar gjithashtu se ftesat nuk janë dërguar partive politike, por drejtpërdrejt kandidatëve individualë. “Asnjëherë nuk më është thënë se z. Çeku nuk do të marrë pjesë në debat. Gjithçka tjetër hyn në spekulime”, ka shkruar ai.
Kelmendi theksoi se respekton të drejtën e kandidatit Çeku dhe të partisë së tij për të vendosur mbi pjesëmarrjen, duke i uruar sukses në garën për kryetar të Prishtinës.
Debati do të transmetohet të hënën në ora 21:00 në Klan Kosova.

