Ora 11:00 e së hënës është afati i fundit ligjor për subjektet politike dhe kandidatët që të parashtrojnë ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të procedojë me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025.
Një ankesë tashmë është paralajmëruar nga Igor Simiq, kandidati i dytë më i votuar i Listës Serbe, pas vendimit të së shtunës në KQZ, ku lista e kandidatëve të kësaj partie nuk u miratua. Vendimi u mor me dy vota kundër nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa anëtarët e tjerë të KQZ-së abstenuan.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, PZAP-ja ka afat prej katër ditësh për shqyrtimin dhe vendosjen lidhur me ankesat e paraqitura. Më pas, palët e pakënaqura kanë edhe dy ditë kohë për të ushtruar ankesë në Gjykatën Supreme.
Gjykata Supreme, sipas ligjit, ka tri ditë afat për të marrë vendim, çka nënkupton se procesi i plotë i vendimmarrjes ligjore mund të zgjasë disa ditë.
Certifikimi mund të shtyhet
Duke marrë parasysh të gjitha afatet ligjore, vendimmarrja finale për rezultatet zgjedhore dhe certifikimi i tyre nga KQZ-ja mund të shtyhet deri në mesin e muajit shkurt.
Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në hapat e mëtejmë institucionalë, përfshirë:
-
konstituimin e Kuvendit,
-
formimin e Qeverisë së re,
-
si dhe proceset e tjera kushtetuese që varen nga certifikimi i rezultateve.
Procesi zgjedhor mbetet nën vëzhgim të shtuar, ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë ankesa të tjera përveç asaj të paralajmëruar nga Lista Serbe.

