Një aksident i rëndë trafiku me pasoja fatale ka ndodhur sot rreth orës 07:40 në autostradën “Ibrahim Rugova”, në kilometrin e 26-të. Sipas Policisë së Kosovës, në aksident janë përfshirë një kamion me targa vendore dhe një veturë me targa të huaja.
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka konfirmuar se drejtuesja e veturës ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i kamionit ka pësuar lëndime trupore.
“Ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës në vendin e ngjarjes. Në terren, përveç njësive policore, kanë dalë edhe zjarrfikësit dhe njësitë relevante hetimore”, deklaroi Kelani.
Policia e Kosovës ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në komunikacion dhe respektim të rregullave të trafikut, duke theksuar se shpejtësia dhe pakujdesia vazhdojnë të jenë ndër shkaqet kryesore të aksidenteve me pasoja të rënda.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.

