Njësiti Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit i Prokurorisë Themelore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë të mërkurën një aksion të gjerë në Prishtinë, pas një hetimi disa mujor që ka rezultuar me zbulimin e dyshimeve serioze për vepra të rënda penale.
Operacioni është zhvilluar mbi bazën e një urdhërese të Gjykatës Themelore për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të disa shtëpive dhe lokaleve. Si rezultat, janë bastisur katër lokacione të ndryshme dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar: V.H., me profesion avokat, dhe D.I., instruktor.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, dy të arrestuarit dyshohen për falsifikim të dokumenteve, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe mashtrim ndaj qytetarëve, përmes të cilave dyshohet se kanë përfituar shuma të mëdha parash, që kapin vlerën e disa milionë eurove.
Gjatë bastisjes, autoritetet kanë sekuestruar dokumentacion të konsiderueshëm që lidhet drejtpërdrejt me veprat penale që po hetohen.
Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërkohë që hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti janë ende në zhvillim.
Organet e drejtësisë kanë paralajmëruar se hetimet do të shtrihen edhe më tej dhe nuk përjashtohet mundësia e ndërlidhjes së rasteve të tjera të ngjashme me këtë skemë mashtruese.