Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave fizikë dhe tre personave juridikë për veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik si dhe falsifikim i dokumenteve.
Sipas aktakuzës, të pandehurit fizikë N.D., A.M., A.B., Xh.B., M.Z., F.D., F.Z., A.Sh., M.L., D.L., A.B. dhe I.E., si dhe subjektet juridike “A&F P. Sh.p.k.”, “S. Sh.p.k.” dhe “Sh.G Sh.p.k.”, dyshohet se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe kanë manipuluar procedurat e prokurimit publik për përfitim të kundërligjshëm pasuror.
Prokuroria bën të ditur se A.M. dhe N.D., në periudhën 02.04.2019 – 11.03.2021, në cilësinë e zyrtarëve pranë MASHT, kanë hartuar kritere tenderuese që favorizonin operatorë të caktuar dhe përjashtonin padrejtësisht të tjerë, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej 1,824,970 euro.
Në një periudhë tjetër, 26.10.2020 – 27.11.2023, disa nga të pandehurit – A.B., Xh.B., M.Z., N.D. dhe A.M. – dyshohet se kanë kontraktuar produkte me çmime deri në 1900% më të larta se tregu, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, duke shkaktuar dëm prej 2,148,282.35 euro.
Po ashtu, në shkelje të kushteve kontraktuale, janë lejuar produkte me origjinë nga Kina dhe Turqia në vend të atyre nga Bashkimi Evropian, siç ishte paraparë, çka sipas aktakuzës ka shkaktuar dëm shtesë prej 3,626,243.80 euro.
Në total, dëmi i pretenduar ndaj buxhetit të shtetit kap vlerën mbi 7.5 milionë euro. Çështja tashmë është në procedurë gjyqësore, ndërsa Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se do të kërkojë përgjegjësi penale për të gjithë të pandehurit sipas ligjit.

