Mbi 20 miliardë euro është vlera e përgjithshme e buxhetit të shtetit që është menaxhuar nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, në periudhën 2020–2025. Ky është buxheti më i madh në historinë e Kosovës së pasluftës. Kurrë më parë një ekzekutiv nuk ka pasur në duar kaq shumë mjete financiare të mbledhura nga taksat e qytetarëve dhe bizneset vendore, të cilat janë bartur edhe nga viti në vit për shkak të dështimeve në investimet kapitale.
Por, pavarësisht kësaj shifre marramendëse, askush nuk mund të kalojë nëpër Kosovë dhe të bëjë me gisht se ky është projekti i realizuar nga Qeveritë Kurti, shkruan Demokracia.com.
Në fakt, projektet madhore infrastrukturore që i japin frymë dhe formë një shteti modern i takojnë qeverive të kaluara. Autostradat që lidhin Kosovën me rajonin, investimet e mëdha në arsim e shëndetësi dhe projektet që gjenerojnë zhvillim afatgjatë mbajnë vula të tjera.
Në anën tjetër, bilanci i punëve të Qeverisë Kurti mbetet i zymtë: asnjë rrugë e re nacionale e përfunduar, zvarritje të pafundme të akseve ekzistuese si ajo e Podujevës, Mitrovicës e Gjilanit dhe një stagnim total kapital.
Në vend të një strategjie afatgjatë zhvillimore, Kurti ka gjetur një formulë më të thjeshtë, por jashtëzakonisht cinike për të siguruar mbijetesën politike: Mos puno asgjë, blej votat me nga 100 euro.
Në prag të zgjedhjeve, Qeveria e Kosoëvs dhe kryeministri Kurti nuk kanë asnjë projekt dhe punë që mund të tregojnë se e kanë kryer me sukses. Vendimet e fundit për ndarjen e shtesave njëherëshe dhe nga 100 euro për kategori të ndryshme shoqërore nuk janë asgjë më shumë se një tentativë e hapur për të blerë qetësinë dhe votën e një populli të rrënuar ekonomikisht.
Këto janë vetëm shtesa njëherëshe, ndihma të çastit dhe JO rritje rrogash, sepse kjo është mënyra për të mbajur qytetarët nën presionin dhe varfërinë e vazhdueshme.
Pasi dështoi të realizojë premtimet e mëdha për investime kapitale, pasi la mjekët, arsimtarët, policët dhe administratën me paga që janë zhvlerësuar nga inflacioni dhe pagat e larta, Kurti kujtohet për popullin vetëm kur afrohet kutia e votimit.
Këto 100 euro nuk e rrisin standardin e jetesës. Ato janë një “fluskë” që zhduket sapo qytetari të kalojë arkën e supermarketit.
Se sa e dëmshme është kjo politikë, e tregon më së miri matematika e thjeshtë e zhvillimit. Kur një qeveri nuk ka çfarë të prezantojë në bilancin e saj katërvjeçar, kur nuk ka autostrada të reja, as spitale moderne, as njohje të reja ndërkombëtare, as rritje të qëndrueshme pagash, ajo detyrohet të fusë dorën në buxhetin e shtetit, në paratë e vetë taksapaguesve, për t’ua kthyer atyre si “bakshish elektoral” nga Kryeministri.
100 euro nuk janë rrogë. Ato nuk paguajnë këstin e kredisë muajin tjetër dhe as faturat e larta të energjisë dhe shportës mujore të famijes kosovare. Nuk sigurojnë sigurim shëndetësor. Janë thjesht para që keqpërdoren për të blerë votën e qytetarëve, duke u fshehur prapa emërtimeve “pako për ringjallje ekonomike”.
Ndarja e këtyre shtesave në prag zgjedhjesh është dëshmia më e pastër e panikut politik të Kurtit, i cili pas 6 vitesh në Qeveri nuk ka arritur të lë asnjë shenjë pune të qeverisjes së tij, përveç blerjes së hapur të votave përmes parasë shtetërore.

